Monday, October 24, 2016

Eugjen Onjegini (fragment) - Aleksandër Pushkin

Kreu I 


XLIII

E ju, të reja bukuroshe,
Që natës von rri ju rrëmben
Karoc' e shpejtë nëpr qoshe
Të Petërsburgut që dëfren,
Ju la dhe juve - Eugjen' i sgjuar.
Zhurm' e dëfrim duke mohuar
Ai u mbyll tek dhom' e ti,
E mori pendën me mërzi,

Ze shkruan po durim në punë
S'bën dot e puna s'vete më;
Nga pend' e tija s'doli gjë,
S'qëndroi kështu me të-përdhunë
Ndaj turm' e njerësve të shkret,
q'unë s'i shaj se jam dhe vet.

XLIV

Dhe prapë - i ngrënë nga përtimi,
Në shpirt gjith' vojtj' e zbraztësi,
E shtyn fisnikërisht qëllimi
Dh' i vihet punës përsëri:
Të marrë die nga të tjerë;
Sjell stava librash, e paprerë
Lexon, lexon, përpiqet kot:
Mërzi, gënjim, çmëndira plot;
Të gjithë i bren një hall i ngratë;
Të vjetrit vjetëruar keq,
Të rinjtë shkarrë dhe për dreq.
I la pra librat, siç la gratë;
La raft, pluhur, e dituri
Edh' e mbuloi me vel të zi.

[...]

XLVI

Kush pati rojtur e menduar,
Për njerzit s'ka, veç se përçmim;
Kush pati ndjerë, ka tundim
Nga pamj' e kohës që pat shkuar.
Ai nuk gjen më lumturim,
Tashi një gjarpër në kujtime,
Tashi pendimi vjen e bren,
Kjo gjë bisedën i-a përzjen
Me një tërheqje - e nur të fshehtë.
Bised' e Oneginit t'im
Më turbullonte në fillim;
Po i-a mësova t'on e mprehtë
Me - at' ironi q'ish gjysmë vrer,
Me at- epigram që pret e therr.


(Përkthyer në shqip nga Lasgush Poradeci)



No comments:

Post a Comment