Tuesday, November 1, 2016

Boris Godunov (fragmente) - Aleksandër Pushkin

1.
Cari

Ah, seç e ndjenj: në vrull të jetës s'onë
Asgjë nuk i jep zemrës paqë, asgjë -
Përveç ndërgjegjes. Është e dlirët ajo?
Ahere e mund të keqen, rrenën, shpifjen...
Porse ndë pastë njëzë njollë vetëm
Dhe vetëm njëzë, rastësisht e futur,
Aherë mjerë vetëdija, mjerë!
E ndezur si prej frymës së murtajës,
E përvëlon shpirtin, helmi e bren zemrën,
Si me çekan t'a çan qortimi veshin,
Të buçet koka, mëndja të vjen rrotull,
Të vjen sikur përpara syvet xixa
Kërcejnë foshnja të përgjakura...
Do t'arratisesh, por ku, ku?... E tmerrshme!
Mjerë kush ndërgjegjen nuk e ka të pastër.

2.
Cari 

Oh, sa i shtypur jam!... Më merret fryma!
E ndjeva si m'u turr i gjithë gjaku
Mu në fytyrë e si ngadalë zbriti.
Ja pse, për trembëdhjetë vjet me rradhë,
Po shoh në ëndërr foshnjë të gjakosur!
Po, po, kjo është! E kuptonj tani.
Por kush është vallë ay kundërshtari im,
Kush më kërcënon? Një emër i kotë, hijë -
Një hije a mund të m'a rrëmbenjë purpurën!
Një zë i kotë a mund të m'u rrëmbenjë
Fëmijëvet ç'u lë pas trashëgim?
Sa i marrë jam! Përse më kapi frika?
Mjafton t'i frynj lugatit dhe çduket.
kështu vendosa: nuk do vdes nga frika,
Por prap nuk bën që ta përbuz çdo gjë...
Sa e rëndë qënke, moj kurorë e Monomakut?

3.
Krushçovi
(prek tokën me ballë)

Po. Zot e atë, jemi robt e tu
Besnikë t'arratisur. Lamë Moskën;
Erdhëm te ti, te cari ynë, të gatshëm
Të japim jetën për ty. Kufomat t'ona
U bëfshin shkallë që të arrish në fron.

4.
Dimitri 

Kujton se të kam frikën? Se mos bota
Beson më fort një vajzë poloneze
Se sa trashëgimtarin e Rusisë?
T'a dish se mbreti, papa dhe bujarët
Nuk pyesin se ku qëndron e drejta,
Dhe kaq u bën a jam a s'jam Dimitri.
Unë jam për 'ta një shkak për luftë e grindje.
Ky shkak u lypset. Sa për ty, rebele,
Besomë se do të t'a mbyllin  gojën,
Pra, lamtumirë.

5.
Dimitri

Më lehtë të luftonj me Godunovin.
Të kapen me dinakët jezuitë,
Se sa të flas me gratë. I martë dreqi!
Një grua rruset, kruset; sa ta zësh
Të shket nga dora, hidhet të kafshon.
Nëpërkë! Nuk më kapi frika kot.
Për pak më çkatërroi - më mori lumi!
Vendosa: nesër nisem për në luftë.

6.
Populli

Pa mbani vesh! Dëgjohen lebetitje. Qe zë gruaje. Ejani, të hyjmë!... Dyert qenkan mbyllur!... Të klithura!

(Portat hapen. Mosalski duket te shkalla.)

Mosalski

O popull! Maria Godunova dhe i biri pinë helmin. Kufomat i pamë me sy. (Populli hesht i tmeruar) E përse nuk bëni zë? Thërrisni: Rroftë Dimitër Ivanoviçi!
(Populli gjithnjë hesht)


(Përkthyer në shqip nga Skënder Luarasi, 1949)

No comments:

Post a Comment